Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se janë miratuar mbi 11 mijë kërkesa për ndërrim të qendrave të votimit në Kosovë, në kuadër të procesit përgatitor për zgjedhjet e ardhshme.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës 6–17 maj janë pranuar gjithsej 11 mijë e 840 kërkesa, prej të cilave 11 mijë e 276 janë aprovuar, ndërsa 564 janë refuzuar.
Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka bërë të ditur se shërbimi për ndryshimin e qendrave të votimit është mbyllur më 17 maj dhe ka funksionuar sipas planit të paraparë.
Në kuadër të përgatitjeve zgjedhore, KQZ ka miratuar edhe planin operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme, si dhe programin e trajnimeve për stafin zgjedhor. Ky plan synon koordinimin ndërinstitucional me organet e rendit dhe menaxhimin e situatave eventuale gjatë procesit zgjedhor.
Po ashtu, është miratuar dizajni dhe përmbajtja e fletëvotimit dhe broshurës zgjedhore. Fletëvotimi përmban 21 subjekte politike, të renditura sipas shortit zyrtar.
Procesi i votimit do të zhvillohet më 6 qershor në përfaqësitë diplomatike, ndërsa më 7 qershor në vendvotimet brenda Kosovës. Në komunat me komunitete jo shumicë, fletëvotimet do të përmbajnë edhe gjuhët përkatëse, në përputhje me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
KAQPATA


