Këngëtarja me famë botërore me origjinë nga Kosova, Rita Ora, ka shprehur publikisht mbështetjen e saj për filmin kosovar “Dua”, me regji të Blerta Bashollit, i cili së fundmi pati premierën botërore në Festivalin e Kanës, në kuadër të Critics’ Week.
Rita Ora ka ndarë në InstaStory një fragment nga traileri i filmit, duke e shoqëruar me një mesazh emocional ku shprehet krenare për projektin dhe për mënyrën se si ai trajton periudhën e viteve ’90 në Kosovë.
Në mesazhin e saj, ajo theksoi se kjo periudhë historike përfaqëson një pjesë të rëndësishme të kujtimeve dhe identitetit të saj, duke vlerësuar mënyrën se si regjisoria Basholli e ka sjellë në ekran.
Filmi “Dua” vjen pas suksesit ndërkombëtar të projektit të mëparshëm të Bashollit, “Hive”, i cili u shfaq në Sundance dhe fitoi disa çmime të rëndësishme në kategorinë e kinemasë botërore.
Ngjarja e filmit zhvillohet në Kosovën e fundit të viteve ’90, gjatë luftës, ku rrëfehet historia e një vajze 13-vjeçare që përballet me dhunën, frikën dhe sfidat e rritjes në një periudhë të vështirë historike.
Mbështetja e Rita Orës shihet si një promovim i rëndësishëm për kinematografinë kosovare në skenën ndërkombëtare, në një kohë kur filmat nga Kosova po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në festivalet prestigjioze.
KAQPATA


