Trupi i pajetë i influencueses austriake 32-vjeçare, Stefanie Pieper, e zhdukur prej gati një jave, është gjetur në një zonë pyjore pranë Mariborit në Slloveni. Zbulimi erdhi pasi ish-partneri i saj, tashmë i dyshuari kryesor, pranoi përfshirjen në rast dhe tregoi vendndodhjen e trupit.
Sipas hetimeve, ai dyshohet se e ka mbytur Pieper-in, e ka futur trupin në një valixhe dhe e ka groposur përtej kufirit. Ai u arrestua në Slloveni, afër makinës së tij të djegur, dhe më pas u ekstradua në Austri ku gjatë marrjes në pyetje pranoi të bashkëpunonte.
Influencerja ishte raportuar e zhdukur një javë më parë, pasi komunikimi i fundit i saj ishte një mesazh ku përmendte një person të dyshimtë në shkallët e banesës. Pas asaj dite, ajo humbi çdo kontakt.
Hetimet janë zgjeruar edhe ndaj dy personave të tjerë: vëllait dhe njerkut të të dyshuarit, të arrestuar në Graz. Ata dyshohen për tentim manipulimi të provave dhe ndodhen në paraburgim, duke refuzuar të dëshmojnë.
Rasti ka tronditur opinionin publik në Austri dhe Slloveni, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar hetime të thelluara për të zbardhur motivet dhe përfshirjet e mundshme shtesë.
KAQPATA