Më shumë se tridhjetë vjet pas rrethimit të Sarajevës, drejtësia italiane ka hapur një hetim të ri që mund të zbardhë një nga kapitujt më të errët dhe më pak të njohur të luftës në Bosnjë e Hercegovinë – fenomenin e të ashtuquajturve “turistë–snajperë”, shtetas të huaj që dyshohet se kanë paguar për të shtënë mbi civilët në qytetin e rrethuar.
Hetimi është iniciuar pas padisë së gazetarit dhe shkrimtarit italian Ezio Gavazzeni, i cili prokurorisë së Milanos i ka dorëzuar dokumente, dëshmi dhe informacione të mbledhura gjatë një investigimi shumëvjeçar. Për N1 ai ka deklaruar se dokumentari “Sarajevo Safari” ishte pika e nisjes së punës së tij.
Prokuroria e Milanos i ka besuar rastin njësisë së specializuar të karabinierëve ROS – e njohur për hetimet ndërkombëtare të ndërlikuara – duke e bërë Italinë shtetin e parë evropian që hap një procedurë zyrtare për “snajperistët e fundjavës”.
Dëshmitë e para: italianë në autobus me vullnetarë serbë
Edin Subashiq, ish-oficer i inteligjencës ushtarake të Bosnjës, përshkruan një episod nga viti 1993, kur gjatë marrjes në pyetje të një vullnetari të kapur serb u zbulua informacion për praninë e të huajve në pozicionet snajperike.
Sipas tij, një 20-vjeçar nga Paraçini ka treguar se në rrugën për në Pale, në autobus ndodheshin pesë të huaj të pajisur në mënyrë të veçantë, prej të cilëve tre ishin italianë – një nga Milano. Ata, sipas dëshmisë, nuk ishin paguar për të luftuar; përkundrazi, vetë ata paguanin që Ushtria e Republikës Srpska t’u mundësonte të shtinin mbi civilët. Subashiq e përshkruan këtë si “safari ndaj njerëzve”.
Subashiq pretendon se gjatë luftës ka mbledhur informacione për italianë të përfshirë në vrasjet me snajper në Sarajevë, si dhe të dhëna për mënyrën e organizimit të udhëtimeve, pagesave dhe kthimit të tyre.
Sipas FTV, madje ka ekzistuar edhe një “çmimore” – me tarifë të ndryshme varësisht nga viktima: burrë, grua, grua shtatzënë apo fëmijë.

Vikend–çetnikët: tregime të mbijetesës nën tytën e snajperit
Sarajevasit i quanin “vikend–çetnikë” – luftëtarë apo të huaj që vinin për dy–tre ditë në vijën e frontit. Dzhemil Hogjiq, i cili në moshën 10-vjeçare humbi vëllanë e tij Amelin, vetëm 16 vjeç, të vrarë nga një snajperist në vitin 1993, sot dokumenton jetën nën rrethim në projektin Sniper Alley Photo.
Ai thotë se që atëherë flitej për të huaj në pozicionet serbe – rusë, grekë dhe madje edhe serbë nga diaspora. Fotoreporteri gjerman Peter Kullmann ka treguar se takoi luftëtarë të ardhur nga Gjermania, të cilët vinin të premten pas pune dhe ktheheshin të dielën në mbrëmje “për të qenë në punë të hënën”.
“Nuk e dimë nëse ata paguanin apo ishin të paguar, por gjurmët e tyre janë në gjakun e rrugëve të Sarajevës. Për fat të keq, shumica e snajperistëve dhe vrasësve janë ende të lirë, dhe institucionet tona nuk bëjnë asgjë”, thotë Hogjiq për DW.
E vërteta nuk mund të mbahet e fshehur
Mirsad Tokaca, drejtori i Qendrës së Dokumentimit të Sarajevës, thotë se analizat e viktimave tregojnë se 300 deri në 350 civilë janë vrarë nga zjarri i snajperëve në dhjetë komuna të Sarajevës – shumica gra dhe fëmijë.
Ai shton se, edhe pse nuk ka të dhëna të plota për “turistët–snajperë”, ekziston dokumentacion për rreth 300 mercenarë të huaj që luftuan në radhët e JNA dhe VRS – nga Rusia, Greqia, Ukraina e vende të tjera.
“Nëse një gjë ka ndodhur, ajo nuk mund të fshihet. Dikush më herët apo më vonë do të flasë – qoftë pjesëmarrësit, qoftë organizatorët”, thotë Tokaca.

Pse Italia po lëviz, ndërsa BeH jo?
Italia ka filluar hetimin bazuar në të njëjtat dokumente që, sipas Subashiqit, janë dorëzuar në Prokurorinë e BiH para tre vitesh – por rasti në Sarajevë nuk ka lëvizur nga vendi.
Gavazzeni pohon se edhe raporti i ish-kryetares së Sarajevës, Benjamina Karic, i dorëzuar te Prokuroria e BeH, është “zvarritur dhe heshtur”.
Subashiq për DW thotë se hetimi në Itali është rezultat i punës së prokurorisë, ndërsa në BiH çështja është bllokuar: “Kjo është pengesë politike, sidomos në rastet që prekin pjesëtarët e VRS. Prokurorja Marijana Coboviq po e opstrukton hetimin, edhe pse kam ofruar dëshmi të shumta.”
A do të përgjigjen më në fund evropianët që paguanin për të vrarë?
Nëse hetimi italian arrin të provojë dyshimet, kjo do të ishte hera e parë që qytetarë evropianë do të përballeshin me drejtësinë për pjesëmarrje në “gjueti njerëzish” gjatë rrethimit të Sarajevës – një nga simbolet më të errëta të mizorive të luftës në Bosnjë.
Hetimi i Milanos tashmë është duke u zgjeruar dhe pritet të përfshijë dëshmi të reja, ndërsa për herë të parë pas tri dekadash shfaqet mundësia që “turistët–snajperë” të identifikohen dhe të mbahen përgjegjës për krimet e kryera ndaj civilëve të pafajshëm.
KAQPATA