Kongresisti amerikan Keith Self ka vlerësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë, duke kritikuar njëkohësisht Greqinë dhe disa vende të NATO-s për mosnjohjen e pavarësisë së saj.

Gjatë një seance dëgjimore në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, Self paraqiti gjithashtu një amendament për ndarjen e 1.8 milionë dollarëve ndihmë vjetore për trajnime ushtarake për Greqinë, duke i bërë thirrje këtij shteti që të njohë Kosovën si shtet të pavarur.

Ai theksoi se disa anëtarë të NATO-s, duke mos e njohur Kosovën, po krijojnë pasiguri në Ballkan dhe, sipas tij, po i afrohen qëndrimeve të Rusisë, Kinës dhe Serbisë në këtë çështje.

“Kosova është një nga partnerët më të besueshëm të Shteteve të Bashkuara në Evropë”, u shpreh Self, duke shtuar se vendi ka dëshmuar angazhim për demokraci, siguri rajonale dhe bashkëjetesë multietnike.

Ai gjithashtu përmendi rolin historik të ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, duke argumentuar se Kosova meriton mbështetje të plotë për integrim në strukturat euroatlantike.

Deklaratat e tij janë cilësuar ndër më të fortat në Kongresin amerikan në mbështetje të sovranitetit dhe perspektivës ndërkombëtare të Kosovës.

KAQPATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *