Efektet e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë po bëhen gjithnjë e më të dukshme në tregjet globale të energjisë. Brazili ka nisur të ulë ndjeshëm importet e karburantit dizel rus, ndërsa Kina po refuzon blerje të reja të naftës së papërpunuar nga Moska.
Pavarësisht se është ndër prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë, Brazili importon rreth një të tretën e dizelit për nevojat e tregut të brendshëm. Në fillim të vitit, Rusia mbulonte 60% të importeve braziliane, por kjo shifër ka rënë në vetëm 17% deri në tetor, si pasojë e presionit amerikan mbi partnerët tregtarë të Moskës.
Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Azi. Kompania shtetërore kineze Yanchang Petroleum ka refuzuar ofertat për furnizime me naftë ruse për muajt dhjetor-shkurt, duke iu bashkuar tendencës së kompanive kineze e indiane për të shmangur marrëveshjet me Moskën nga frika e sanksioneve dytësore.
Analistët vlerësojnë se Rusia po humb terren në tregjet më të mëdha botërore, ndërsa aleatët e saj tradicionalë po kufizojnë bashkëpunimin për të shmangur penalizime nga Perëndimi.
KAQPATA