Një ngjarje makabre ka tronditur Dubain, ku çifti rus Roman dhe Anna Novak u rrëmbyen, u vranë dhe u copëtuan nga një bandë që kërkonte të rrëmbente pasurinë e tyre në kriptomonedha.
Roman Novak, i cili dyshohet se kishte përfituar rreth 500 milionë dollarë nga një aplikacion mashtrues i kriptomonedhave, ishte arratisur në Emiratet e Bashkuara Arabe pasi u shpall në kërkim nga autoritetet ruse. Sipas mediave ruse, rrëmbyesit i joshën çiftin në një resort në Hatta, me premtimin për bashkëpunim të ri financiar.
Pasi u siguruan se Novak kishte një “thesar” të fshehur në portofolin e tij dixhital, ata i kërkuan fjalëkalimin e hyrjes. Kur zbuluan se portofoli ishte bosh, rrëmbyesit e ekzekutuan çiftin dhe i copëtuan trupat, duke i shpërndarë mbetjet në zona të ndryshme të shkretëtirës.

Hetimet zbuluan përfshirjen e tetë personave, mes tyre ish-ushtarë dhe një ish-polic, të cilët akuzohen për rrëmbim, vrasje dhe fshehje provash. Krimi lidhet me hakmarrjen e investitorëve të mashtruar nga Novak, i cili prej vitesh ishte i njohur për skema mashtruese në tregun e kriptomonedhave.
Çifti shfaqej shpesh në rrjetet sociale me luks të tepruar, përfshirë makina sportive, avionë privatë dhe pushime luksoze, duke e përdorur imazhin e pasurisë për të joshur investitorë të rinj. Ngjarja ka rikthyer në vëmendje rreziqet e krimeve të lidhura me pasuritë virtuale dhe mashtrimet dixhitale.
KAQPATA