Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një projektligj të rëndësishëm që pritet t’i japë fund mbylljes më të gjatë të Qeverisë amerikane. Dokumenti u miratua me 60 vota për dhe 40 kundër, me mbështetje të gjerë nga republikanët dhe tetë demokratë që u ndanë nga partia e tyre për ta kaluar marrëveshjen.
Projektligji parasheh që financimi i Qeverisë të vazhdojë deri në fund të janarit. Hapi i radhës është miratimi në Dhomën e Përfaqësuesve, para se presidenti Donald Trump ta nënshkruajë për hyrje në fuqi. Sipas raportimeve, Trump ka shprehur gatishmëri për ta nënshkruar dokumentin.
Mbyllja, që zgjat prej tetorit, ka ndikuar në pezullimin e shumë shërbimeve publike, ndërsa rreth 1.4 milion punëtorë federalë janë në pushim pa pagesë ose po punojnë pa kompensim. Ndër efektet më të ndjeshme janë pengesat në trafikun ajror dhe vonesat në shpërndarjen e ndihmave për miliona qytetarë me të ardhura të ulëta.
Sipas ekspertëve ekonomikë të Shtëpisë së Bardhë, nëse situata nuk zgjidhet para Festës së Falënderimeve më 27 nëntor, ekonomia amerikane mund të pësojë rënie në çerekun e katërt të vitit.
KAQPATA