Dy burrat e arrestuar si të dyshuar për “grabitjen e shekullit” në Muzeun e Luvrit kanë refuzuar të flasin para hetuesve, duke u mbështetur në të drejtën për të heshtur, raporton Le Parisien.
Ata po mbahen në njësinë speciale të policisë në Paris që nga e shtuna. Të dy janë të njohur për autoritetet, por e kaluara e tyre penale lidhet kryesisht me vjedhje të vogla dhe ofendime fizike, pa ndonjë lidhje me krimin e organizuar.
Njëri prej tyre, 39-vjeçar me shtetësi francezo-algjeriane, u identifikua përmes ADN-së së flokëve të gjetura në një helmetë të braktisur, ndërsa tjetri, me origjinë nga Mali, përmes gjurmëve të ADN-së në një jelek të verdhë që kishte përdorur gjatë hyrjes në muze.
Policia arrestoi njërin prej të dyshuarve në aeroportin Roissy, pak para se të nisej për në Algjeri. Ndërkohë, dy persona të tjerë që mendohet të kenë qenë bashkëpunëtorë gjatë grabitjes mbeten ende në arrati.
Hetuesit po përpiqen të zbulojnë rrjetin që qëndron pas kësaj grabitjeje spektakolare, ndërsa bizhuteritë e vjedhura më 19 tetor ende nuk janë gjetur.
KAQPATA