Kosova ka shënuar rritje të deficitit tregtar në shtator 2025, duke arritur në 520.5 milionë euro, që paraqet një rritje prej 21.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).
Të dhënat tregojnë se eksportet arrijnë në 85.8 milionë euro, ndërsa importet në 606.2 milionë euro. Eksporti mbulon vetëm 14.1% të importeve — një tregues i varësisë së lartë nga produktet e huaja. Krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, eksportet u rritën me 10.7%, ndërsa importet me 19.6%.
Grupet kryesore të eksporteve përfshijnë metalet bazë (19.1%), plastikën dhe gomën (12.5%), produktet minerale (12.4%) dhe ushqimet e përgatitura (11.5%). Nga ana tjetër, importet dominohen nga produktet minerale (14.6%), makineritë dhe pajisjet elektrike (11.3%), metalet bazë (11.3%) dhe mjetet e transportit (10.6%).
Eksportet drejt Bashkimit Evropian përbëjnë 32.7% të totalit, me Gjermaninë si partnerin kryesor (11.5%), ndërsa importet nga BE-ja arrijnë në 41.1%, ku po ashtu prin Gjermania me 12.7%.
Në tregtinë me vendet e CEFTA-s, eksportet arritën në 40.6 milionë euro (47.4% e totalit), me Shqipërinë si partner kryesor (21.4%), ndërsa importet nga ky bllok arritën në 87.8 milionë euro (14.5% e totalit), kryesisht nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Ndër vendet jashtë BE-së dhe CEFTA-s, Zvicra dhe Turqia mbeten partnerët më të rëndësishëm tregtarë, si në eksport ashtu edhe në import.
KAQPATA