Gjykata Federale Penale në Zvicër do të nisë më 3 dhe 4 nëntor gjykimin e dy shqiptarëve nga Gjeneva, me origjinë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, të akuzuar për mbështetje të terrorizmit dhe mashtrim me sigurimet shoqërore.
Hetimet tregojnë se dy të pandehurit dyshohet të kenë financuar aktivitetet e tyre me para të përfituara nga ndihmat sociale, duke transferuar mbi 70 mijë euro drejt Ballkanit për të mbështetur grupin “Vëllezërit e Vitisë”, të lidhur me Shtetin Islamik.
Njëri prej tyre, një 37-vjeçar kosovar, dyshohet se ka udhëhequr degën e grupit në Gjenevë, të quajtur “Vëllezërit e Gjenevës”, me orientim salafist-xhihadist. Grupi akuzohet se ka rekrutuar të rinj dhe ka ftuar imamë radikalë nga rajoni për ligjërata, përfshirë Rexhep Memishin dhe Qëndrim Jasharin.
Prokuroria pretendon se anëtarët e grupit kanë fshehur armë në Kosovë për të krijuar një “Shtet Islamik” sipas ligjit të Sheriatit, megjithëse nuk akuzohen për akte konkrete dhune.
Përveç mbështetjes së terrorizmit, të akuzuarit dyshohet se kanë mashtruar shtetin zviceran me përfitime të paligjshme sociale, kredi të rreme COVID-19 dhe sigurime të manipuluara, duke përfituar mbi 200 mijë franga. Ata mund të përballen me deri në 10 vjet burgim dhe kthim të shumave të përfituara në mënyrë të paligjshme.
KAQPATA