Vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar zyrtarisht të enjten paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit ndaj Ukrainës. Një nga masat kryesore është ndalimi i importeve të gazit natyror të lëngshëm rus (LNG).
27 shtetet anëtare ranë dakord pas heqjes së bllokimit nga Sllovakia. Presidenca daneze e BE-së e ka cilësuar paketën si një hap të rëndësishëm për të goditur burimet kryesore të të ardhurave të Rusisë përmes masave energjetike, financiare dhe tregtare.
Ndalimi i LNG-së do të zbatohet në dy faza: kontratat afatshkurtra do të përfundojnë pas gjashtë muajsh, ndërsa kontratat afatgjata do të ndalohen nga 1 janari 2027. Kjo synon të ulë gradualisht varësinë e BE-së nga energjia ruse, një vit më shpejt se plani i Komisionit Evropian.
Përveç kësaj, paketa përfshin një mekanizëm për të kufizuar lëvizjen e diplomatëve rusë brenda BE-së dhe synon bankat ruse, bursat e kriptomonedhave dhe subjekte në Indi dhe Kinë, sipas shefes së politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, ka theksuar se ndalimi i LNG-së është një hap kyç drejt heqjes graduale të energjisë ruse në Bashkimin Evropian.
KAQPATA