Ish-drejtori i FBI-së, James B. Comey, ka kërkuar nga një gjykatës federal që të hedhë poshtë padinë kundër tij, duke argumentuar se prokurorja që po e ndjek çështjen, Lindsey Halligan – një ish-avokate personale e Donald Trump – është emëruar në mënyrë të paligjshme.
Avokatët e Comey-t pretendojnë se administrata Trump ka shkelur ligjin federal duke e zëvendësuar prokurorin e mëparshëm, Erik Siebert, i cili kishte refuzuar të ngrinte akuza ndaj ish-drejtorit të FBI-së, pasi kishte vlerësuar se provat ishin të pamjaftueshme.
Emërimi i Halligan është pjesë e një strategjie më të gjerë të Trump-it për të vendosur njerëz besnikë në pozicione kyçe brenda drejtësisë, pa kaluar nëpër miratimin e Senatit. Gjykatat federale në disa shtete, përfshirë Nevadën dhe Nju Xhersin, tashmë kanë vendosur se disa prej këtyre emërimeve kanë qenë të paligjshme.
Ndërkohë, Departamenti i Drejtësisë mbron qëndrimin se emërimi i Halligan është në përputhje me ligjin, por një sërë gjykatash e kanë kundërshtuar këtë praktikë, duke e cilësuar si një mënyrë për të anashkaluar pushtetin kushtetues të Senatit.
Nëse gjykata pranon argumentet e mbrojtjes, rasti kundër Comey-t mund të shembet plotësisht — një goditje e madhe për përpjekjet e Trump-it për të ndëshkuar kritikët e tij politikë.
KAQPATA