Departamenti Amerikan i Thesarit ka njoftuar sanksione të reja ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës ruse, Rosneftdhe Lukoil, në përpjekje për të ushtruar presion mbi Moskën që të negociojë paqe në Ukrainë.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se këto kompani financojnë “makinën e luftës së Kremlinit”, ndërsa shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin hapa të tjerë nëse Rusia nuk ndalon agresionin.
Sanksionet u shpallën pak para vizitës së Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në Shtëpinë e Bardhë, ku pritet të diskutohet një plan 12-pikësh për paqe që përfshin armëpushim të menjëhershëm, shkëmbim të të burgosurve dhe kthimin e fëmijëve të deportuar nga Rusia.
Sipas raportimeve të BBC, vendimi i Uashingtonit pason një paketë të ngjashme sanksionesh të vendosura javën e kaluar nga Mbretëria e Bashkuar ndaj të njëjtave kompani. Rosneft dhe Lukoil eksportojnë së bashku rreth 3.1 milionë fuçi naftë në ditë, që përbën një pjesë të konsiderueshme të prodhimit global.
Në të njëjtën ditë, Rusia ndërmori sulme intensive me raketa dhe dronë ndaj Ukrainës, duke shkaktuar të paktën shtatë viktima, përfshirë dy fëmijë.
Bessent tha për Fox News se Presidenti Donald Trump është i zhgënjyer nga mungesa e progresit në bisedimet e paqes dhe akuzoi Presidentin Putin se “nuk po sillet në mënyrë të ndershme”.
Këto masa janë pjesë e përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të frenuar financimin e ekonomisë së luftës së Kremlinit.
KAQPATA