Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në samitin e 12-të të Procesit të Berlinit që po mbahet në Londër, ku theksoi rëndësinë e unitetit evropian përballë kërcënimeve autoritare dhe nevojën për përfshirjen e plotë të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Në fjalimin e tij, Kurti tha se “Evropa është e begatë, por kurrë më parë nuk është sulmuar kaq shumë”, duke theksuar se paqja dhe liria duhet të mbrohen e rifreskohen nga çdo brez. Ai shtoi se mungesa e integrimit të plotë të rajonit në BE dhe NATO krijon vakum të rrezikshëm që shfrytëzohet nga Rusia e Kina.
Kryeministri nënvizoi progresin e Kosovës në pesë vitet e fundit, duke përmendur rritjen ekonomike mesatare prej 6% dhe përmirësimin në treguesit demokratikë e të sigurisë. “Banka Botërore dhe FMN na kanë hequr nga lista e vendeve të brishta – kjo tregon stabilitetin dhe qeverisjen e mirë që kemi ndërtuar,” tha ai.
Kurti iu referua edhe sulmit terrorist në Banjskë, duke kërkuar që autorët të mos mbeten të pandëshkuar dhe paralajmëroi se pandëshkueshmëria vetëm sa inkurajon agresion të ri.
Në fjalimin e tij, ai theksoi mbështetjen e Kosovës për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe Agjendën e Gjelbër, por kërkoi më shumë investime për projektet infrastrukturore dhe tranzicionin e gjelbër.
Kurti kujtoi se Kosova ka nënshkruar marrëveshje të re tregtare me vendet e EFTA-s gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos dhe ka rikthyer funksionalitetin e CEFTA-s. Ai përmbylli fjalën duke theksuar se Kosova nuk është burim migracioni, por vetëm një pikë tranziti, dhe mbetet e përkushtuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe financave të paligjshme.
KAQPATA