Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL e UÇK-së) ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për refuzimin e provave që dokumentojnë krimet e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në deklaratën për media, OVL e UÇK-së e ka quajtur këtë vendim “të padrejtë dhe të papranueshëm”, duke theksuar se ai përbën “mohim të së vërtetës historike dhe dhimbjes së popullit të Kosovës”.
“Gjykata po përpiqet ta paraqesë luftën çlirimtare jashtë kontekstit të saj historik, duke anashkaluar mizoritë e kryera nga Serbia,” thuhet në reagim.
Sipas veteranëve, shpallja e dëshmive për masakrat serbe si “të parëndësishme” tregon qasjen e njëanshme të Dhomave të Specializuara dhe përbën “fyerje për drejtësinë dhe kujtesën historike të vendit”.
Ata paralajmërojnë se ky vendim është arsye shtesë për protesta dhe ngritje zëri kundër padrejtësive që, sipas tyre, po u bëhen çlirimtarëve të Kosovës.
Mbrojtja e Jakup Krasniqit kishte kërkuar që në proces të përfshiheshin materiale që dëshmonin krimet serbe në Rahovec, Prizren e Gjilan, përfshirë edhe një video të BBC-së, por gjykata pranoi vetëm disa pjesë të saj, duke i cilësuar të tjerat si “jorelevante për akuzat”.
KAQPATA