Policia e Serbisë ka bastisur shtëpinë e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Naim Ramizi, në fshatin Tërnoc të Madh. Ramizi, që aktualisht është anëtar i AAK-së dhe ish-këshilltar në Ministrinë e Drejtësisë në Kosovë, e ka cilësuar aksionin si “presion të vazhdueshëm politik ndaj shqiptarëve të Luginës”.
Në deklaratën e tij për media, ai tha se bastisja u krye pa paralajmërim dhe se autoritetet serbe nuk kanë sekuestruar asgjë. “Kjo është thjeshtë një shfaqje që përsëritet prej 20 vitesh. Asnjëherë nuk kanë gjetur asgjë. Është formë presioni”, u shpreh Ramizi.
Pamje nga vendi i ngjarjes, të publikuara në mediat lokale, tregojnë forca të shumta policore gjatë kontrollit në oborrin dhe brendësinë e shtëpisë së tij. Ky rast vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme në Luginën e Preshevës, ku shqiptarët raportojnë shpesh për bastisje dhe ndalime arbitrare nga policia serbe.
KAQPATA