Pas 44 vitesh transmetim, MTV po i jep fund epokës që formësoi kulturën muzikore dhe rinore. Paramount Global ka njoftuar se më 31 dhjetor 2025 do të ndalojë transmetimin e pesë kanaleve të MTV — përfshirë MTV Music, MTV 80s, MTV 90s, Club MTV dhe MTV Live — fillimisht në Britani e më pas në disa vende të tjera.
Ky vendim shënon mbylljen e një epoke që nisi më 1981 me këngën “Video Killed The Radio Star”, simbol i revolucionit që MTV solli në industrinë muzikore. Në dekadat që pasuan, kanali ndryshoi mënyrën si shikohej dhe përjetohej muzika, duke lindur fenomene si “MTV Unplugged”, “The Real World” dhe ngjarjet madhore si “VMA”.
Megjithatë, me rritjen e platformave si YouTube, TikTok dhe Spotify, ndikimi i MTV-së u zbeh. Paramount Global e arsyetoi vendimin si pjesë të një strategjie për uljen e kostove dhe përqendrimin në platformat dixhitale, ku marka MTV do të vazhdojë të ekzistojë përmes eventeve dhe përmbajtjeve online.
Një kapitull televiziv mbyllet, por trashëgimia e MTV mbetet e gjallë — një kujtesë e kohës kur muzika nuk dëgjohej vetëm, por shihej.
KAQPATA