Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar se rezultatet e publikuara pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit nuk përfaqësojnë numërimin që ka filluar në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN), por janë të bazuara në të dhënat nga vendvotimet.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se numërimi i votave në 2,571 vendvotime është përmbyllur në mbrëmjen e së dielës, duke përfshirë votat për kryetarë komunash dhe për subjektet politike që garojnë për asambletë komunale. Sipas tij, përditësimet aktuale lidhen vetëm me mungesën e të dhënave nga ndonjë vendvotim i caktuar.
Elezi gjithashtu theksoi se së shpejti platforma e rezultateve të KQZ-së do të përfshijë rezultatet zyrtare nga QKN-të, të ndara në tri kategori: votat për kryetarë komunash, votat e subjekteve politike për asambletë komunale, dhe votat për kandidatët për anëtarë të këtyre asambleve.
Ai rikujtoi se në QKN bëhet edhe verifikimi i formularëve të rezultateve nga vendvotimet, sipas rregullores zgjedhore, për të siguruar saktësinë e numërimit.
KAQPATA