Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Kryetari aktual i Mitrovicës Bedri Hamza, qëndroi sot në Lipjan ku shprehu mbështetjen e tij të plotë për kandidatin e kësaj partie për kryetar të komunës, Shukri Buja.
Gjatë takimeve me qytetarët dhe strukturat lokale të PDK-së, Hamza theksoi rëndësinë e përvojës dhe vizionit që Buja sjell për Lipjanin, duke e cilësuar atë si një kandidat që njeh mirë sfidat dhe potencialet e komunës.
“Shukri Buja ka një plan të qartë dhe gjithëpërfshirës për zhvillimin e Lipjanit. Ai ka treguar përkushtim ndaj çdo qytetari, pa dallime politike apo etnike. PDK do të qëndrojë fuqishëm pas këtij vizioni që garanton zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë,” tha Hamza.
Nga ana tjetër, kandidati për kryetar të komunës, Shukri Buja, prezantoi plan-programin e tij të detajuar që synon rritjen e transparencës institucionale, përmirësimin e infrastrukturës publike, zhvillimin ekonomik lokal dhe avancimin e shërbimeve arsimore e shëndetësore.
Buja theksoi se programi i tij është i bazuar në nevojat reale të qytetarëve dhe i hapur për bashkëpunim me të gjitha komunitetet që jetojnë në Lipjan.
“Unë kandidoj për të gjithë qytetarët e Lipjanit — për një komunë që punon në mënyrë të barabartë për secilin banor, pavarësisht përkatësisë së tyre politike apo etnike,” u shpreh Buja.
Vizita e Bedri Hamzës në Lipjan u pa si një sinjal i qartë i mbështetjes së fortë që struktura qendrore e PDK-së po i jep kandidaturës së Shukri Bujës në prag të zgjedhjeve lokale.
KAQPATA