Policia belge ka parandaluar një atentat të mundshëm ndaj kryeministrit të vendit, Bart De Wever, duke arrestuar tre persona të dyshuar për planifikimin e një sulmi terrorist me dron të mbushur me eksplozivë.
Sipas raportimeve të autoriteteve, të arrestuarit – të lindur në vitet 2001, 2002 dhe 2007 – dyshohet se ishin të frymëzuar nga ideologjia xhihadiste. Ata kishin planifikuar të përdornin një dron të pajisur me lëndë shpërthyese për të kryer atentatin ndaj kryeministrit dhe disa politikanëve të tjerë.
Prokurorja federale, Ann Fransen, konfirmoi se policia ka zbuluar një mjet shpërthyes të improvizuar në ndërtim, një çantë me toptha metalikë dhe një printer 3D që përdorej për prodhimin e pjesëve të dronit. Këto materiale u gjetën në një ndërtesë në Antwerp, afër banesës së kryeministrit.
“Lajmi për një sulm të planifikuar ndaj kryeministrit është tronditës. Mbështetja ime e plotë për të dhe familjen e tij. Falënderime për shërbimet e sigurisë që ndërhynë në kohë”, reagoi zëvendëskryeministri Maxime Prevot.
Njëri nga të dyshuarit është liruar pas marrjes në pyetje, ndërsa dy të tjerët do të dalin para gjykatës ditën e premte. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse prapa planit qëndron një rrjet më i gjerë ekstremist.
KAQPATA