Gjykata Supreme e Kosovës ka hedhur poshtë ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kundër kandidatit Ramiz Lladrovci, lidhur me përdorimin e emrit dhe simboleve të partisë gjatë fushatës zgjedhore.
Sipas aktgjykimit me numër AA.nr.89/2025, PDK kishte kërkuar ndëshkimin e Lladrovcit për deklaratat e tij publike “Unë jam Partia Demokratike” dhe “Nuk ka bir nane që më largon nga PDK”, duke pretenduar se ato përbënin mashtrim ndaj elektoratit.
Mirëpo, Gjykata Supreme konstatoi se këto shprehje nuk përbëjnë shkelje ligjore, pasi “nuk nxisin urrejtje, nuk përmbajnë thirrje për dhunë dhe nuk cënojnë integritetin e procesit zgjedhor”. Trupi gjykues theksoi se qytetarët janë të informuar se Lladrovci garon për një subjekt politik të veçantë dhe nuk ekziston rrezik për keqinformim.
Si rezultat, ankesa e PDK-së është refuzuar si e pabazuar, ndërsa vendimi i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i datës 3 tetor 2025 është konfirmuar në tërësi.
Vendimi u mor më 9 tetor 2025 nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Faton Ademi (kryetar), Delushe Halimi dhe Nenad Laziq.
KAQPATA