Një sukses historik për skenën muzikore shqiptare: UNUM Festival është shpallur “Festivali më i Mirë Global 2025”nga organizata prestigjioze The DJ Awards Ibiza, që vlerëson ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e muzikës elektronike. Ky çmim e vendos Shqipërinë përkrah festivaleve legjendare si Burning Man, Tomorrowland dhe Sonus, duke e bërë vendin tonë një pikë referimi për kulturën muzikore ndërkombëtare.
Që nga themelimi në vitin 2019, UNUM është shndërruar në një simbol të artit, natyrës dhe lirisë, duke u zhvilluar çdo vit në plazhin e Rana e Hedhun në Shëngjin. Me mbi 60 shtete pjesëmarrëse dhe mijëra vizitorë, festivali ka krijuar një identitet unik që bashkon kulturat përmes tingujve elektronikë.
Edicioni i këtij viti solli një line-up impresionues me Black Coffee, Ricardo Villalobos, Seth Troxler, Dixon, Damian Lazarus, Bedouin, Raresh, Priku e shumë të tjerë, duke e kthyer Shqipërinë për disa ditë në kryeqytetin botëror të muzikës elektronike.
Organizatorët e UNUM theksuan se ky çmim është “fryti i pasionit, punës dhe komunitetit që kemi ndërtuar me artistët dhe familjen UNUM”. Ata shtuan se kjo arritje është një dëshmi se vizioni, bashkimi dhe kreativiteti mund ta vendosin Shqipërinë në qendër të hartës kulturore botërore.
UNUM tashmë nuk është vetëm një festival – është një lëvizje ndërkombëtare që lidh njerëzit përmes muzikës, natyrës dhe shpirtit të lirisë.
KAQPATA