Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë për ndërhyrje flagrante në proceset zgjedhore në vend. Në një intervistë për A2 CNN, ajo tha se Beogradi po përpiqet të blejë vota në zgjedhjet lokale të së dielës, përmes premtimeve për vende pune dhe përfitime financiare për komunitetin serb në Kosovë.
“Serbia po përdor metoda të dhunshme, kërcënime dhe shantazhe ndaj qytetarëve serbë, duke u përpjekur t’i drejtojë ata se kujt t’i japin votën. Këto janë ndërhyrje të paligjshme dhe në kundërshtim të plotë me parimet e fqinjësisë së mirë,” deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se fakti që Serbia nuk është ndëshkuar për veprimet e saj në të kaluarën e ka bërë atë më të guximshme për të ndërhyrë sërish. “Kjo është një shkelje e vazhdueshme e sovranitetit të Kosovës dhe e sistemit tonë demokratik. Për fat të keq, mungesa e reagimeve ndërkombëtare ka trimëruar Serbinë,” tha Osmani.
Presidentja theksoi se institucionet e sigurisë në Kosovë po punojnë për të mbrojtur qytetarët serbë nga presioni politik dhe manipulimet e Beogradit, por kërkoi gjithashtu që bashkësia ndërkombëtare të ushtrojë presion më të madh ndaj Serbisë për të ndaluar ndërhyrjet.
“Qytetarët serbë janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe meritojnë të votojnë lirshëm, pa frikë apo ndikim nga jashtë,” përfundoi Osmani.
KAQPATA