
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë ceremonisë së ndërrimit të komandës në Shtabin e KFOR-it, theksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet një objektiv i qartë dhe thelbësor, që pasqyron jo vetëm strategjinë, por edhe identitetin e vendit.
“Sot dhe historikisht, populli i Kosovës është rreshtuar me vlerat e lirisë, demokracisë dhe sigurisë së përbashkët. Prandaj aspirata për anëtarësim në NATO është pasqyrë e asaj se kush jemi”, deklaroi Osmani.
Ajo shtoi se aleanca është më e fortë kur qëndron me partnerë të përkushtuar si Kosova, duke theksuar se vendi ka dëshmuar vazhdimisht qëndrueshmëri, reforma dhe vendosmëri.
Osmani paralajmëroi edhe për përpjekjet e disa shteteve që, sipas saj, synojnë të zhbëjnë arritjet e Kosovës dhe ta kthejnë vendin në të shkuarën, duke theksuar se partneriteti nuk mund t’u jepet atyre që ushtrojnë agresion ndaj fqinjëve.
Në përfundim, Presidentja theksoi se Kosova është ndërtuar mbi të njëjtat vlera me ato të NATO-s dhe aleatëve perëndimorë: demokracinë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
KAQPATA