
Sopranoja e shquar shqiptare, Luiza Çako, ka ndërruar jetë në moshën 88-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike dhe një emër të paharruar në historinë e muzikës shqiptare. Ajo ishte bashkëshortja e legjendës së muzikës operistike, Gaqo Çako, dhe nëna e kantautorit të njohur Pirro Çako.
Luiza Çako u dallua për talentin e saj të rrallë, përkushtimin e palodhur në skenë dhe kontributin e jashtëzakonshëm që i dha artit shqiptar, duke interpretuar dhjetëra role të spikatura në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nga viti 1956 deri në 1983.
Ajo ka interpretuar role ikonike si Flora e Anina në La Traviata, Lola në Cavalleria Rusticana, Norina në Don Pasquale, Musetta në La Bohème, Susanna në Dasma e Figaros, Mamica në Skënderbeu, Dava në Mrika dhe shumë të tjera. Përveç skenës, ajo ka marrë pjesë në festivale, koncerte dhe turne brenda dhe jashtë vendit, duke u bërë një figurë e respektuar në jetën muzikore shqiptare.
Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit dhe Ansambli Popullor kanë reaguar menjëherë, duke e përshkruar Luiza Çakon si një nga personalitetet më të vyera të muzikës shqiptare dhe duke shprehur ngushëllime të sinqerta për familjen dhe kolegët e saj.
E lindur më 14 qershor 1937 në Tiranë, Luiza Çako la pas një trashëgimi që do të frymëzojë gjeneratat e ardhshme të artistëve.
Qoftë i paharruar kujtimi i saj!
KAQPATA