
Sipas aktakuzës, më 10 gusht rreth orës 20:30 në lagjen “Tusus”, rruga “Lapidari” në Prizren, i pandehuri E.B., me dashje dhe në mënyrë dinake, duke shfrytëzuar besimin e viktimës H.Sh., e ka privuar atë nga jeta. Ngjarja ka ndodhur pas organizimit të një përleshjeje mes qenve, ku viktima po largohej nga vendi i ngjarjes.
“I pandehuri e ka ndjekur viktimën dhe më pas, duke përdorur një mjet të mprehtë – thikë, e ka sulmuar papritur viktimën duke e goditur tri herë në pjesë të ndryshme të trupit. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore të autopsisë të datës 22.09.2025, lëndimet kanë shkaktuar gjakderdhje të brendshme të rëndë në regjionin e majtë të kraharorit, e cila ka rezultuar me vdekjen e viktimës”, bëhet e ditur në aktakuzë.
Gjithashtu, i pandehuri ka poseduar pa leje thikën me gjatësi tehu prej 10 cm dhe dorezë 12 cm, me të cilën i ka shkaktuar vdekjen viktimës H.Sh.
Rasti për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshëve dhe ndotja e ushqimit dhe e ujit të shtazëve” po trajtohet nga Departamenti i Përgjithshëm për dy të dyshuarit tjerë që organizuan luftën me qen.
Prokurori ka propozuar që pas shqyrtimit gjyqësor, administrimit dhe vlerësimit të provave, E.B. të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.
KAQPATA