
Policia e Shqipërisë ka arrestuar dy shtetas nga Berati në pikën kufitare në Morinë, nën dyshimin se po tentonin të trafikonin një vajzë 14-vjeçare drejt Kosovës. Të arrestuarit janë E.G., 22 vjeç, dhe A.K., 18 vjeç, të dy banues në qytetin e Beratit.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 22-vjeçari E.G. është ndaluar në flagrancë pasi dyshohet se po përpiqej ta kalonte vajzën e mitur në territorin e Kosovës me qëllim trafikimi dhe akuzohet për veprën penale “Trafikimi i të miturve”.
Bashkëudhëtari i tij, A.K., është arrestuar me akuzën “Moskallëzim i krimit”. Ngjarja ndodhi më 28 shtator 2025, kur shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë ndaluan automjetin që drejtohej nga E.G. dhe në të ndodheshin A.K. dhe e mitura.
Kontrolli u krye në kuadër të analizës së riskut dhe punës për parandalimin e paligjshmërive në kufi. Hetimet paraprake zbuluan se familjarët e vajzës kishin raportuar largimin e saj nga banesa në Durrës po atë ditë.
Të arrestuarit janë dërguar për procedura të mëtejshme në Prokurori, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.
KAQPATA