
Kompania Meta ka filluar t’i kalojë adoleshentët në Facebook dhe Messenger në “llogari adoleshentësh” të dedikuara, të cilat ofrojnë më shumë kontrolle prindërore dhe mbrojtje shtesë për përdoruesit e moshës së re.
Zgjerimi i këtyre llogarive vjen pasi Meta thotë se “qindra miliona” adoleshentë përdorin tashmë aplikacionet e saj, përfshirë Instagram, Facebook dhe Messenger.
Fillimisht, llogaritë adoleshente u prezantuan në Instagram vitin e kaluar, ndërsa këtë vit u shpërndanë në SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar dhe Australi për Facebook e Messenger. Tani, ato do të jenë të detyrueshme për adoleshentët në të gjithë botën.
Sipas rregullave të reja, përdoruesit 13 deri në 15 vjeç duhet të marrin lejen e prindërve për të ndryshuar cilësimet e sigurisë. Meta përdor gjithashtu inteligjencën artificiale për të zbuluar rastet kur adoleshentët mund të gënjejnë për moshën.
Prindërit do të kenë mundësi të monitorojnë mënyrën se si fëmijët e tyre përdorin aplikacionet, duke përfshirë kohën para ekranit dhe listën e kontakteve. Llogaritë do të kenë gjithashtu privatësi dhe siguri më të lartë, për të kufizuar kontaktin me të rritur të panjohur.
Instagram ka njoftuar gjithashtu zgjerimin e programit për shkolla në SHBA, që lejon raportim më të shpejtë të rasteve të ngacmimit. Meta thotë se reagimet e para nga shkollat kanë qenë pozitive.
KAQPATA