Në Shqipëri ka hyrë në fuqi një udhëzim i ri i Ministrisë së Arsimit, i cili ndalon përdorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera të ngjashme nga nxënësit dhe mësuesit në të gjitha institucionet parauniversitare të vendit.
Sipas udhëzimit, nxënësit janë të detyruar të dorëzojnë telefonat në kutitë përkatëse në klasë në fillim të mësimit, ku pajisjet duhet të qëndrojnë të fikura ose në modalitetin “Airplane” deri në fund të orëve. Ndalesa vlen edhe për mësuesit, përveç rasteve emergjente ose kur ka arsye të miratuara pedagogjike.
Në rast shkeljeje, telefoni merret nga mësuesi dhe dorëzohet në drejtori. Pajisja kthehet vetëm pasi prindi paraqitet në shkollë. Për përsëritje të shkeljes parashikohen masa disiplinore, që shkojnë nga këshillimi dhe pjesëmarrja në aktivitete ndërgjegjësuese, deri te masa më të rënda për nxënësit e shkollave të mesme.
Udhëzimi ngarkon edhe prindërit me përgjegjësi, duke kërkuar prej tyre që të sigurojnë respektimin e rregullave dhe të njoftojnë shkollën nëse fëmija pajiset me telefon për arsye të veçanta.
Qëllimi i këtij vendimi është rritja e disiplinës, përmirësimi i përqendrimit në mësim dhe forcimi i komunikimit të drejtpërdrejtë mes nxënësve dhe mësuesve.
KAQPATA