Masës së vendosur nga Gjykata Kushtetuese ndaj deputetëve i ka mbetur edhe pak kohë, ndërsa pritet që deri më 30 shtator të shpallet aktgjykimi për ankesën e Listës Serbe. Kjo parti kundërshtoi mënyrën e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet joshumicë, duke e çuar çështjen në Kushtetuese.
Vendimi i pritshëm shihet si mundësi për të zhbllokuar Kuvendin, i cili ende nuk ka kryesinë e plotë edhe pse zgjedhjet u mbajtën më 9 shkurt dhe seancat nisën më 15 prill. Zgjedhja e kryeparlamentarit Dimal Basha dhe katër nënkryetarëve më 26 gusht dha shpresë për zgjidhje, por procesi u ndërlikua pasi nënkryetarët e komuniteteve joshumicë u proceduan me votim të ndarë.
Sulmet e pushtetit ndaj Gjykatës nuk munguan, ku ndër figurat kryesore që reaguan ishin Albin Kurti dhe Glauk Konjufca, të cilët e akuzuan institucionin për veprim politik dhe e cilësuan vendimin si të padrejtë.
Megjithatë, Kushtetuesja ka marrë mbështetje të fuqishme nga partnerët ndërkombëtarë. Ambasadori britanik Jonathan Hargreaves, pas takimit me kryetarin Nexhmi Rexhepi, tha se vendimet e gjykatës duhet të respektohen për t’i dhënë fund ngërçit politik. Edhe Bashkimi Evropian ka apeluar për mosndërhyrje në punën e gjykatës, ndërsa Departamenti i Shtetit amerikan ka shprehur mbështetje të qartë për pavarësinë institucionale të saj.
Si pasojë e tensioneve, SHBA dy javë më parë pezulloi dialogun strategjik me Kosovën, vendim që lidhet kryesisht me kritikat ndaj Kushtetueses nga pushteti. Ministri në detyrë Nenad Rashiq konfirmoi se ky ishte një paralajmërim i bërë më herët nga diplomatët amerikanë.
Përfundimisht, zgjidhja pritet nga vendimi i Kushtetueses, por edhe nëse Kuvendi zhbllokohet, mbetet sfida e krijimit të qeverisë së re, pasi Vetëvendosje nuk ka votat e nevojshme për formimin e saj.
KAQPATA