Këngëtarja e njohur shqiptare, Arta Bajrami, ka shprehur zhgënjimin e saj për mungesën e reagimit institucional lidhur me mbështetjen për fëmijët me autizëm. Muajin e kaluar, ajo dërgoi një letër të hapur presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, ku kërkonte veprime konkrete për përkujdesjen ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.
Në një intervistë për IndeksOnline, Bajrami tha se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje:
“Deri sot nuk kemi marrë përgjigje nga presidentja dhe kryeministri lidhur me kërkesat tona të bëra publike. Ne mbetemi të hapur për dialog dhe bashkëpunim institucional”, theksoi ajo.
Artistja paralajmëroi se, nëse pas përfundimit të proceseve politike nuk do të ketë hapa konkret nga institucionet, komuniteti do të shqyrtojë veprime demokratike dhe qytetare për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve:
“Por, nëse pas përfundimit të proceseve aktuale politike nuk do të ketë një hap konkret nga ana e institucioneve, atëherë do të shqyrtojmë hapat e ardhshëm demokratikë dhe qytetarë, për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve tanë. Kjo nuk është një çështje politike, por një urgjencë njerëzore. Ne nuk do të ndalemi derisa të sigurojmë të drejtat dhe dinjitetin e fëmijëve tanë”, shtoi ajo.
Bajrami nënvizoi gjithashtu rëndësinë e reagimit të menjëhershëm, duke kujtuar sfidat e përditshme të komunitetit të familjeve dhe aktivistëve për personat neurodivergjentë:
“Ne si komunitet i familjeve dhe aktivistëve për personat me autizëm kuptojmë se vendi po kalon procese të rëndësishme demokratike si konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhjet lokale, por përballja jonë me mungesën e mbështetjes institucionale nuk mund të shtyhet pafund”, tha Bajrami, e cila është nënë e dy fëmijëve me autizëm.
KAQPATA