
Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF) i është drejtuar Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) me kërkesën që fëmijët me aftësi të kufizuara të përfshihen në Programin e Kuponëve.
Në reagimin e tyre, KOMF thekson se përkundër se nisma e MAShTI-t për mbështetjen e familjeve përfituese nga Skema e Asistencës Sociale është një hap pozitiv drejt barazisë sociale, mungesa e përfshirjes së fëmijëve me aftësi të kufizuara mbetet shqetësuese.
“Fëmijët me aftësi të kufizuara përballen me barriera të shumta për qasje në edukimin në fëmijërinë e hershme, ndërsa përfshirja e tyre në institucione është tejet e ulët, sidomos në ato private. Familjet e tyre shpesh paguajnë shuma të larta mujore, deri në 600–700 euro, për kopsht privat, asistent personal dhe shërbime profesionale mbështetëse”, thuhet në reagim.
KOMF kujton se sipas Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e fëmijëve në institucione parashkollore, fëmijët nga grupet e rrezikuara – përfshirë edhe ata me nevoja të veçanta – lirohen nga pagesa. Për këtë arsye, organizata kërkon që edhe këta fëmijë të jenë pjesë e Programit të Kuponëve, pavarësisht nëse familjet e tyre përfitojnë nga asistenca sociale apo jo.
“Duke marrë parasysh nevojat e shumta të fëmijëve me aftësi të kufizuara, kostoja e kuponëve për ta duhet të jetë më e lartë, për të mbuluar mbështetjen profesionale që është e domosdoshme për përfshirjen e tyre efektive në edukimin e hershëm”, thekson KOMF.
Përfshirja e tyre në këtë program, sipas organizatës, do të lehtësonte barrën financiare të prindërve, do të rriste nivelin e përfshirjes në arsim dhe do të ndihmonte në përmbushjen e obligimeve ligjore të Kosovës në raport me Konventën për të Drejtat e Fëmijës.
KAQPATA