
Policia e Kosovës ka marrë pjesë në Konferencën e 39-të Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit kundër Drogave (IDEC), e cila u mbajt në Nashville, Tennessee, SHBA.
Në një njoftim zyrtar, Policia bëri të ditur se delegacioni kosovar, i kryesuar nga Reshat Murseli – Drejtor i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit të Narkotikëve – dhe tre anëtarë të ekipit hetimor, mori pjesë falë mbështetjes së Programit Ndërkombëtar për Ndihmë në Hetime Penale të DOJ-ICITAP dhe zyrës së DEA-s në Athinë, në bashkëpunim me Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë dhe Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve (INL).
Konferenca me temën “Uniteti Global për një të Ardhme më të Sigurt: Forcimi i Aleancave Kundër Krimit Transnacional” mblodhi zyrtarë nga mbi 130 vende, ku u trajtuan sfidat e drogës sintetike, qarkullimit të paligjshëm financiar dhe krimit të organizuar ndërkombëtar.
Delegacioni i Kosovës zhvilloi një takim me Administratorin e DEA-s, Terrance Cole, ku u diskutua profesionalizmi i Policisë së Kosovës dhe roli i saj gjithnjë e më i madh në sigurinë rajonale dhe globale.
“Palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm në luftën kundër narkotikëve dhe rrjeteve të krimit të organizuar”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e Kosovës u angazhuan edhe në takime me agjenci të tjera ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, duke shqyrtuar mënyra të reja për shkëmbim informacioni, praktika më të mira dhe operacione të përbashkëta kundër trafikimit global të drogës.
Policia e Kosovës shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së dhe theksoi se mbetet e përkushtuar ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar për ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të qëndrueshme.
KAQPATA