
Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia e kanë njohur zyrtarisht Palestinën si shtet, në një lëvizje të përbashkët që synon të rrisë presionin mbi Izraelin dhe që i vendos këto shtete aleate në kundërshtim të hapur me SHBA-të, raporton CNN.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, deklaroi se vendi i tij njeh Shtetin e Palestinës për të mbështetur një të ardhme paqësore dhe për të fuqizuar ata që kërkojnë bashkëjetesë, duke margjinalizuar Hamasin. Edhe Australia, përmes kryeministrit Anthony Albanese dhe ministres së Jashtme Penny Wong, konfirmoi njohjen duke e quajtur atë pjesë të një përpjekjeje të koordinuar për një zgjidhje me dy shtete dhe një armëpushim në Gaza.
Në të njëjtën linjë, kryeministri britanik Keir Starmer theksoi se njohja e shtetit palestinez nuk është shpërblim për Hamasin, por një hap i domosdoshëm për të mbajtur gjallë shpresën për paqe.
Ky vendim i tre shteteve pritet të shkaktojë përplasje të reja diplomatike me Izraelin, i cili e ka kundërshtuar ashpër këtë veprim.
KAQPATA