
Kongresisti republikan amerikan, Brian Mast, ka paraqitur një amendament në Kongres që synon të vendosë anëtarësimin e Kosovës në NATO si një nga prioritetet kryesore të politikës së SHBA-së në Ballkan. Ky hap, i mbështetur edhe nga kongresisti Keith Self, sipas organizatës “Albanians for America”, konsiderohet si një nga ndryshimet më të rëndësishme për rajonin që nga viti 2002.
Amendamenti përfshin pika kyçe, duke përfshirë:
- Prioritet në emërimin e ambasadorëve amerikanë në vendet e Ballkanit, përfshirë Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnjën e Hercegovinën.
- Mbështetje konkrete për pavarësinë e Kosovës dhe integrimin e saj të ardhshëm në NATO.
- Përmirësim të sigurisë energjetike në rajon, duke përfshirë zgjerimin e rrjetit të tubacioneve në Kroaci dhe zëvendësimin e energjisë ruse me burime të tjera.
- Mbështetje për implementimin e programit të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC) në Kosovë për rritjen e zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit rajonal.
- Nxitje për Shqipërinë dhe Kosovën që të zhvillojnë bazat e tyre të industrisë së mbrojtjes dhe të rrisin shpenzimet kombëtare për mbrojtje sipas objektivave të NATO-s.
- Vazhdim të implementimit të programit të Kontrollit të Eksporteve dhe Sigurisë Kufitare, duke përfshirë pajisjet e inspektimit jo-intruzive në pikën kufitare të Merdarit me Serbinë për parandalimin e trafikut të armëve të paligjshme.
Organizata “Albanians for America” ka përshëndetur këtë nismë si një hap historik, duke theksuar rëndësinë strategjike të Ballkanit dhe vendosjen e politikave të qarta për mbështetjen e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.
Amendamenti do të shqyrtohet nga komisionet përkatëse të Kongresit dhe më pas do të votohet nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati. Vetëm pasi të miratohet nga të dyja dhomat, amendamenti mund të bëhet pjesë e ligjit ose udhëzimit zyrtar të politikës amerikane.
KAQPATA