
Baleti Kombëtar i Kosovës po përgatitet të ngjitet në një nga skenat më prestigjioze të artit botëror – në teatrin katër shekuj të vjetër “Malibran” në Venecia, ku do të sjellë kantatën skenike “Carmina Burana” të kompozitorit gjerman Carl Orff.
Kjo vepër madhështore, e interpretuar më herët në qershor në bashkëpunim me Filharmoninë dhe Operën e Kosovës, do të prezantohet sërish me koreografinë origjinale të artistit italian Toni Candeloro dhe nën dirigjimin e mjeshtrit japonez Toshio Yanagisawa.
Koreografi dhe balerini Sead Vuniqi e ka cilësuar këtë ngjarje si një nga momentet më të rëndësishme të vitit për institucionin:
“Është një pjesëmarrje e jashtëzakonshme për ne. Venecia është një prej vendeve me traditë të gjatë në kulturë, balet e muzikë klasike. Për ne është një nga ngjarjet më të mëdha që ndodh në vitin 2025 dhe shpresojmë të prezantohemi në mënyrë sa më dinjitoze.”
“Carmina Burana” paraqet fatin e njeriut me një gjuhë universale të muzikës dhe lëvizjes, ndërsa shfaqja e trupës kosovare është e përfshirë në programin e festivalit prestigjioz “Venezia in Danza”, që zhvillohet nga 29 nëntori deri më 7 dhjetor. Pas Venecias, Baleti Kombëtar do të performojë edhe në qytetin Potenza, më 1 dhjetor.
Teatri “Malibran”, i hapur që nga viti 1678 dhe i restauruar në vitin 2001, është një prej skenave historike të Italisë, ku këtë vit Kosova do të shënojë një prej prezantimeve më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare të artit skenik.
KAQPATA