
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimit dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së SHBA-ve (SATMO), Kolonel Thomas Melton.
Në fillim të takimit, gjeneral Jashari e falënderoi kolonelin Melton për vizitën dhe kontributin e vazhdueshëm të ekipeve të SATMO-s në ngritjen dhe zhvillimin e FSK-së. Ai vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar rezultatet pozitive që pjesëtarët e FSK-së kanë treguar në trajnimet dhe aktivitetet e përbashkëta.
“Gjatë takimit u diskutua edhe për aktivitetet e zhvilluara deri më tani, përfshirë mbështetjen e ekipeve të SATMO-s në ngritjen e kapaciteteve trajnuese dhe procesin e validimit të njësive, si pjesë e planit të zhvillimit të Forcës. Po ashtu, u trajtua edhe plani trevjeçar i aktiviteteve të përbashkëta që do të realizohen në të ardhmen, ku roli i ekipeve të SATMO-s është i pazëvendësueshëm për trajnimin dhe avancimin e njësive të FSK-së”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Në përmbyllje, palët konfirmuan se mbështetja amerikane përmes SATMO-s mbetet thelbësore për forcimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe për përgatitjen e saj drejt standardeve më të larta të aleancave ndërkombëtare.
KAQPATA