
Aleatët e NATO-s kanë dënuar ashpër shkeljen e hapësirës ajrore të Estonisë nga avionët ushtarakë rusë, duke e cilësuar këtë veprim si provokim serioz. Ngjarja ka nxitur aleancën të thërrasë një mbledhje të Këshillit të Atlantikut të Veriut, pasi kjo është hera e tretë brenda ditëve të fundit që ndodhin incidente të ngjashme.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se kishte biseduar me kryeministrin e Estonisë, Kristen Michal, duke theksuar se reagimi i aleancës ishte “i shpejtë dhe vendimtar”. Tre avionë luftarakë rusë MiG-31 kishin hyrë për 12 minuta në hapësirën ajrore të Estonisë, pranë ishullit Vaindlo, pa plane fluturimi, pa transponderë aktivë dhe pa komunikim me kontrollin e trafikut ajror.
Si kundërpërgjigje, avionë italianë F-25, pjesë e operacionit “Rojta Lindore”, u ngritën menjëherë në ajër, ndërkohë që edhe Suedia e Finlanda reaguan duke ngritur avionët e tyre luftarakë.
Rusia, nga ana e saj, mohoi akuzat duke pretenduar se avionët e saj ishin në një “fluturim të planifikuar” dhe “në përputhje me rregullat ndërkombëtare të hapësirës ajrore”.
Kryeministri Michal paralajmëroi se Estonia ka kërkuar aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili parashikon konsultime të detyrueshme mes aleatëve kur kërcënohet siguria e ndonjë shteti anëtar. Ministria e Jashtme e Estonisë gjithashtu i dorëzoi një notë proteste ambasadës ruse në Talin.
Ndërkohë, reagimet ndërkombëtare nuk munguan:
- Donald Trump, presidenti i SHBA-së, paralajmëroi se kjo situatë “mund të sjellë telashe të mëdha”.
- Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, e quajti incidentin “provokim jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
- Volodymyr Zelensky, presidenti i Ukrainës, tha se veprimi rus është “skandaloz” dhe pjesë e një fushate të planifikuar kundër NATO-s dhe Perëndimit.
Ekspertët ushtarakë e shohin këtë si një test të rrezikshëm për unitetin e NATO-s. Jim Townsend, ish-zyrtar i Pentagonit, theksoi se aleanca mund të detyrohet të dyfishojë numrin e avionëve patrullues në Baltik, ndërsa analisti Luke Coffey tha se Rusia do të vazhdojë provokimet derisa NATO të vendosë kosto më të larta për Kremlinin.
Ky incident vjen pas disa shkeljeve të ngjashme me dronë rusë në Poloni dhe Rumani, duke ngritur shqetësimet se Moska po përpiqet të testojë gatishmërinë e krahut lindor të NATO-s.
KAQPATA