
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka marrë vendim që të ndalojë fluturimet mbi zonën operacionale të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).
Ky vendim, i cili lidhet kryesisht me përdorimin e dronëve, hyn në fuqi më 1 shtator, bëri të ditur KEK-u në një njoftim zyrtar.
Sipas KEK-ut, objektet dhe asetet e saj janë të kategorizuara si pjesë e infrastrukturës kritike të Kosovës, e cila përbën bazën e furnizimit me energji elektrike për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
“Kjo infrastrukturë është një produkt thelbësor dhe i pazëvendësueshëm për jetën e përditshme dhe zhvillimin kombëtar”, thuhet në njoftim.
KEK-u shtoi se vendimi për ndalimin e fluturimeve është dëshmi e mbështetjes së institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për sigurinë e infrastrukturës energjetike, si një nga shtyllat kryesore të mbrojtjes së Kosovës.
Ndryshe, hapësira e ulët ajrore e Kosovës menaxhohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës, ndërsa hapësira mbi 6.200 metra është nën kontrollin e HungaroControl të Hungarisë, pasi Kosova ende nuk ka kapacitetet për të menaxhuar vetë hapësirën e lartë ajrore.
KAQPATA