Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Shtetit, profesor Fatos Klosi, ka zbuluar se është thirrur si dëshmitar në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar në mbrojtje të UÇK-së. Në një intervistë në emisionin Shqip me Dritan Hilën në DritareTV, Klosi tha se procesi po zgjatet për shkak të mungesës së provave konkrete ndaj komandantëve.
“Dëshmitarët nuk po përmendin emrat e ish-krerëve të UÇK-së, sepse ata nuk kanë qenë të pranishëm në skenë. Edhe nëse ka ndodhur ndonjë krim, nuk është kryer para tyre. Pra, nuk ka prova konkrete. Procesi po zgjatet, dhe mbajtja e gjatë në paraburgim duket si tentativë për t’i shpallur fajtorë, por është e vështirë të ndodhë”, u shpreh Klosi.
Ai theksoi se është ftuar nga mbrojtja, por vetë nuk ka qenë në Kosovë në atë kohë. Sipas tij, shumë nga problemet ndodhën pas hyrjes së forcave aleate, kur UÇK-ja nuk ishte më operative.
Klosi shtoi se roli i komandantëve politikë të UÇK-së shpesh është keqinterpretuar, pasi ata nuk kanë qenë në terren, por në organizim dhe drejtim, gjë që ka komplikuar procesin gjyqësor.
KAQPATA