Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, paralajmëroi se Rusia po përpiqet të përcaktojë kushtet e paqes në Ukrainë, gjë që sipas tij do ta trimëronte presidentin rus, Vladimir Putin, për agresione të tjera.
“Putin po i teston limitet prej kohësh. Ai saboton, spiunon, vret dhe përpiqet të trazojë njerëzit”, tha Merz në parlamentin gjerman gjatë diskutimit për buxhetin e ri.
Ai përmendi incidentin e javës së kaluar në Poloni, ku dronët rusë shkelën hapësirën ajrore dhe u rrëzuan mbi territorin e saj, si shembull të qartë të provokimeve.
Merz theksoi se Gjermania do të forcojë mbrojtjen për të parandaluar çdo agresion dhe për të forcuar unitetin me aleatët.
Gjermania është një prej mbështetësve kryesorë të Ukrainës që nga nisja e pushtimit rus në vitin 2022 dhe, sipas ministrit të Mbrojtjes Boris Pistorius, tashmë është furnizuesi më i madh i saj me ndihma ushtarake, duke kaluar edhe SHBA-në.
KAQPATA