Një raport i Parlamentit francez mbi ndikimin e TikTok dhe platformave të tjera ka rekomanduar ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, si dhe vendosjen e një “orari policor digjital” për të rinjtë e moshës 15 deri në 18 vjeç. Ky hap synon të frenohet ndikimi negativ që këto platforma kanë mbi shëndetin mendor të të rinjve.
“Një ndalim i tillë do të dërgonte një mesazh të qartë për fëmijët dhe prindërit se rrjetet sociale nuk janë të padëmshme para moshës 15-vjeçare”, deklaroi Laure Miller, raportuese e komisionit parlamentar hetimor.
Komisioni, i ngritur në mars, ka intervistuar prindër të viktimave, drejtues të platformave sociale dhe influencerë për të analizuar algoritmin e TikTok, i cili po shihet si faktor që nxit varësi dhe shpërndarje të përmbajtjeve të rrezikshme.
Nisma erdhi pas disa proceseve gjyqësore kundër TikTok-ut në Francë në vitin 2024, të nisura nga familjet e adoleshentëve që u ekspozuan ndaj videove me përmbajtje vetëlënduese. Një prej tyre ishte Geraldine, 52-vjeçare, e cila humbi vajzën e saj 18-vjeçare, Penelopën, në shkurt të vitit të kaluar. Ajo më pas zbuloi se vajza kishte shikuar dhe publikuar në TikTok materiale që nxisnin vetëvrasjen.
TikTok ka deklaruar se siguria e të rinjve është prioriteti i kompanisë dhe se sistemi i monitorimit me inteligjencë artificiale ka larguar 98% të përmbajtjeve të papërshtatshme në Francë gjatë vitit 2024. Por, sipas komisionit, përmbajtje të dëmshme vazhdojnë të qarkullojnë, duke shkaktuar humbje të vëmendjes, çrregullime të gjumit dhe probleme me vetëvlerësimin.
Raporti paralajmëron se nëse brenda tre vitesh rrjetet sociale nuk përmbushin detyrimet e përcaktuara nga Rregullorja Evropiane për Shërbimet Digjitale (DSA), mund të shkohet deri te ndalimi i plotë i përdorimit për personat nën 18 vjeç.
Një tjetër masë e propozuar është kufizimi i përdorimit të rrjeteve sociale për të rinjtë 15-18 vjeç, të cilët nuk do të mund t’i përdornin ato nga ora 22:00 deri në 08:00 të mëngjesit – një masë e quajtur “orë policore digjitale”.
KAQPATA