
Ish-diplomati amerikan James Rubin, i cili ka shërbyer si ndihmës i afërt i ish-sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright dhe ka punuar ngushtë me presidentin Bill Clinton, ka konfirmuar se javën e ardhshme do të paraqitet si dëshmitar i mbrojtjes në Gjykatën Speciale për Kosovën, në Hagë.
Rubin e bëri publik lajmin gjatë një interviste me gazetaren e njohur Christine Amanpour, teksa u pyet për aktivitetet e tij të ardhshme në Evropë.
“Do të jem në Evropë, sepse javën e ardhshme do të jap dëshmi në Tribunalin Special për krime lufte në Kosovë. Si dikush që ishte i dobishëm për Madeleine Albright-in dhe në themelimin e Tribunalit fillestar për Krime Lufte, do të kthehem në të kaluarën dhe kam më shumë për të thënë për këtë javën e ardhshme”, deklaroi Rubin.
Dëshmia e tij pritet të jetë pjesë e fazës së mbrojtjes në procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëluftëtarëve të tij, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sipas njoftimeve nga Gjykata Speciale, dëgjimi i dëshmitarëve të mbrojtjes do të nisë më 15 shtator 2025, duke shënuar një fazë të re në procesin që ka zgjuar vëmendje të madhe ndërkombëtare.
KAQPATA