
Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë në kuadër të hetimeve për shpërthimin e veturës së drejtorit të QKUK-së, Osman Hajdari.
Sipas njoftimit, më 9 shtator janë kryer bastisje në tri lokacione – dy në Prishtinë dhe një në fshatin Rimanishtë – ku janë arrestuar 11 persona dhe janë sekuestruar armë, drogë dhe pajisje të tjera.
Në mesin e provave të sekuestruara janë:
- armë zjarri (pistoletë Sig Sauer dhe AK-47 me municion),
- mbi 142 kg kanabis në fazë përfundimtare të përpunimit,
- pajisje për kultivim dhe përpunim droge,
- dhjetë telefona celularë, pranga dhe mjete të tjera.
Nga të ndaluarit, nëntë persona janë mbajtur për 48 orë, ndërsa ndaj të tjerëve procedurat po zhvillohen veçmas. Policia ka konfirmuar se njëri prej tyre kishte urdhërarrest aktiv për çështje narkotikësh dhe është dërguar për vuajtje të dënimit.
Aksioni u realizua nga Drejtoria kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe njësitë e tjera relevante.
KAQPATA