
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë me mbështetje nga Beogradi, ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për “manipulim politik” për shkak të përbërjes “të pabarabartë” të këshillave të vendvotimeve gjatë numërimit të votave për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Gjatë një konference për media më 8 shtator, Lista Serbe kritikoi gjithashtu listat zgjedhore në komunat me shumicë serbe. Partia ka parashtruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Zyrtari i Listës Serbe, Igor Simiq, tha se krahasuar me zgjedhjet parlamentare të shkurtit, disa komuna kanë më pak votues, veçanërisht Leposaviqi dhe Mitrovica e Veriut. Sipas tij, në Leposaviq janë 1.500 votues më pak dhe në Mitrovicë e Veriut 1.200. Ai pretendon se disa votues u fshinë nga qendra e votimit në shkollën fillore “Sveti Sava”.
Në komunën e Graçanicës, numri i votuesve është rritur me mbi 2.000 krahasuar me zgjedhjet parlamentare. Lista Serbe tha se nuk ka marrë shpjegim nga KQZ-ja dhe kërkon reagim nga PZAP dhe bashkësia ndërkombëtare.
Lista Serbe thekson gjithashtu mungesën e kryesuesve dhe anëtarëve të këshillave të vendvotimeve në Novobërdë dhe Partesh, duke pretenduar se kjo mund të ndikojë në legjitimitetin e zgjedhjeve.
KQZ-ja konfirmoi më 6 shtator listën e votuesve për zgjedhjet lokale, sipas së cilës kanë të drejtë vote 2.069.098 persona dhe do të hapen 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.
KAQPATA