
Një studim i publikuar në revistën Neurology në vitin 2025 ka ngritur shqetësime mbi ndikimin e ëmbëltuesve artificialë në shëndetin e trurit. Studiuesit analizuan 12,772 të rritur gjatë një periudhe tetëvjeçare, duke vëzhguar konsumin e shtatë ëmbëltuesve të njohur: acesulfame K, aspartam, eritritol, sakarinë, sorbitol, tagatozë dhe ksilitol.
Rezultatet treguan një lidhje midis përdorimit të tyre dhe rënies së aftësive kognitive, sidomos në gjuhë dhe kujtesë. Ndikimi ishte më i theksuar tek personat nën 60 vjeç, periudhë kur pritet që funksioni i trurit të jetë ende në nivel të lartë. Autorja e studimit, Dr. Claudia Suemoto, theksoi se konsumimi i shpeshtë i ëmbëltuesve mund të përshpejtojë rënien natyrore të performancës mendore.

Megjithatë, Shoqata Ndërkombëtare e Ëmbëltuesve (ISA) ka kundërshtuar rezultatet, duke theksuar kufizimet e studimit dhe duke kujtuar se disa prej këtyre substancave janë të miratuara nga FDA si të sigurta për konsum.
Kjo nuk është hera e parë që ëmbëltuesit artificialë dalin në qendër të kritikave. Një studim i vitit 2022 në PLoS Medicinei lidhi acesulfame K dhe aspartamin me rrezik më të lartë për kancer, ndërsa në vitin 2023 Organizata Botërore e Shëndetësisë e klasifikoi aspartamin si “të mundshëm kancerogjen”.
Edhe pse kërkimet e mëtejshme janë të nevojshme, studimi i fundit shton një tjetër argument për debatin mbi sigurinë afatgjatë të ëmbëltuesve artificialë në shëndetin e njeriut.
KAQPATA