
Rusia ka nisur një valë të re sulmesh me raketa dhe dronë mbi Ukrainë, ndërkohë që presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se çdo ushtar i huaj i angazhuar në këtë luftë do të konsiderohet “shënjestër legjitime”.
Forcat ajrore ukrainase konfirmuan se vendi u godit me 91 dronë rusë, pa raportime për viktima deri më tani. Deklarata e ashpër e Putinit u bë gjatë Forumit Ekonomik në Vladivostok, një ditë pas takimit të “Koalicionit të Vullnetit”, ku aleatët e Kievit u zotuan për krijimin e një “force sigurie” për Ukrainën.
“Çdo ushtar që shfaqet në territorin ukrainas, sidomos tani që luftimet vazhdojnë, do të jetë shënjestër legjitime,” tha Putin, duke refuzuar mundësinë e një marrëveshjeje të afërt për paqe.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi duke thënë se nuk mund të takohet me Putinin në Moskë: “Ai mund të vijë në Kiev. Nuk mund të shkoj në kryeqytetin e këtij terroristi derisa vendi im bombardohet çdo ditë.”
Deklaratat vijnë në një kohë kur përpjekjet diplomatike mes SHBA-së, Rusisë dhe Kinës nuk kanë arritur të prodhojnë rezultate konkrete. Presidenti amerikan ka paralajmëruar sanksione të reja ndaj Moskës nëse nuk gjendet një zgjidhje paqësore.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022 dhe, sipas të dhënave ndërkombëtare, ka shkaktuar mijëra viktima dhe miliona të zhvendosur. Rusia vazhdon ta quajë atë “operacion special ushtarak” për çmilitarizimin e Ukrainës, ndërsa Perëndimi ka vendosur sanksione të ashpra që kanë goditur ekonominë ruse.
KAQPATA