
Një hulumtim i Radios Evropa e Lirë ka zbuluar se modeli i inteligjencës artificiale Grok, i ngjashëm me ChatGPT, ofron përgjigje të ndryshme për statusin e Kosovës, varësisht nga gjuha e pyetjes.
Në serbisht, sistemi thotë se “Kosova është Serbi”, në shqip përgjigjet “Kosova është shtet i pavarur që nga viti 2008”, ndërsa në anglisht thekson se “ka papajtueshmëri për statusin e Kosovës”. Vetë Grok-u shpjegon se përshtatet me “shenjat kulturore dhe kontekstuale” që janë të ngulitura në secilën gjuhë.



Ekspertët theksojnë se këto dallime burojnë nga mënyra se si modelet trajnohen me sasi të mëdha teksti, ku informacioni dhe qëndrimet ndryshojnë sipas gjuhës. Karolina Ewa Stanczak, hulumtuese në ETH Cyrih, thekson se kjo sjell rrezik për dezinformim, ndërsa sugjeron vendosjen e kontrolleve më të forta mbi të dhënat.
Edhe në Kosovë, sipas ligjërueses Hyrije Mehmeti nga Universiteti i Prishtinës, përdorimi i AI-së është i lartë, por edukimi digjital mbetet i mangët. Ajo paralajmëron se qytetarët, veçanërisht ata më pak të përgatitur digjitalisht, mund të bien pre e keqinformimit.
Ekspertët rekomandojnë që institucionet në Kosovë të nisin fushata ndërgjegjësimi dhe edukimi digjital, në mënyrë që përdoruesit të jenë më të mbrojtur ndaj përmbajtjeve të pasakta që gjenerojnë modelet e inteligjencës artificiale.
KAQPATA