
Vila më e shtrenjtë aktualisht në tregun amerikan është listuar për 300 milionë dollarë në Aspen të Kolorados. Pronarët e saj, miliarderët kalifornianë Stewart dhe Lynda Resnick, kanë nxjerrë në shitje pronën madhështore të njohur si Little Lake Lodge.
Rezidenca shtrihet në një sipërfaqe prej 74 hektarësh dhe përfshin 18 dhoma gjumi, 20 banjo, një liqen privat me varka, pishinë me pamje panoramike dhe disa shtëpi për mysafirë. Brenda saj ndodhet edhe një sistem i veçantë i inventarit të kompjuterizuar për mbajtjen e llogarisë së pjatave, gotave, çarçafëve dhe argjendarive.

Arkitektura e vilës është frymëzuar nga lodgjet e Shërbimit të Parqeve Kombëtare të viteve 1920-1930, ndërsa sipas Wall Street Journal, Lynda Resnick ka dashur që shtëpia të “shkrihet me natyrën”, megjithëse ajo përfshin afro 19 mijë metra katrorë hapësirë banimi.

Përveç luksit të jashtëzakonshëm, prona përmban shtigje për ecje e ski, hapësira për festa dhe një sistem oksigjeni të brendshëm për të lehtësuar qëndrimin në lartësi. Gjatë viteve, Resnicks kanë organizuar aty mbrëmje ku kanë marrë pjesë emra të njohur si Diane Keaton, Barbra Streisand dhe Ruth Bader Ginsburg.
Ky çmim e bën vilën rekordin e ri për pasuri të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara, duke kaluar shitjen prej 240 milionë dollarësh të një apartamenti në Manhattan në vitin 2019.

KAQPATA